Krijimi i rrjetit shtetëror të monitorimit të cilësisë së ajrit në Kosovë

2020

Gjatë vitit 2020, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës – IHMK mori mbështetje nga Fondacioni i Mijëvjeçarit të Kosovës – MFK (financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit-MCC) për zhvillimin e mëtejshëm të rrjetit të komunikimit që ofron të dhëna për cilësinë e ajrit në kohë reale nëpërmjet këtij portali online.

2019

Në muajin nëntor të vitit 2019, IHMK është mbështetur nga MFK për zhvendosjen e tri Stacioneve për Monitorimin e Cilësisë së Ajrit (SMCA) në Gjilan, Prizren dhe Drenas, si dhe renovimin e rrethojës metalike në Mitrovicë.

Nga muaji nëntor i vitit 2019, pajisjet e reja të cilësisë së ajrit janë instaluar në 7 SMCA, ndërsa trembëdhjetë njësi të Furnizimit të Pandërprerë me Energji Elektrike (UPS), trembëdhjetë senzorë meteorologjikë dhe regjistrues të të dhënave, ruterë dhe kamera e të sigurisë me SIM kartela të instaluara për të mundësuar transmetimin pa tela të të dhënave u instaluan në 12 SMCA dhe një SMCA mobil. Në IHMK u instalua edhe një kompjuter me perfomancë të lartë, i cili monitoron të dhënat dhe imazhet nga të gjitha stacionet.

Si rezultat i intervenimit të mësipërm, nga muaji dhjetor i vitit 2019, të dhënat nga 13 SMCA janë transmetuar pa tela dhe në vazhdimësi në serverin e ASHI në të cilin kanë qasje stafi i IHMK-së së bashku në imazhet nga kamerat e sigurisë, të cilat mund të shihen nga distanca.

Pas instalimit të pajisjeve, stafi i IHMK-së është trajnuar për Procedurat Standarde të Operimit për analizerë (CO, NOx, O3, PM, SO2) dhe kanë shfaqur zotësi në përdorimin, mirëmbajtjen, kalibrimin dhe operimin e pajisjeve të instaluara rishtazi.

2018

Gjatë vitit 2018, Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian e ka mbështetur IHMK-në duke investuar në rrjetin e komunikimit të SMCA për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave nga 8 (nga 12) SMCA, me të dhënat e lidhura në një aplikacion në telefon të mençur (Android dhe iOS) për t’i lejuar publikut qasje në të dhënat e cilësisë së ajrit për Kosovë.

Pas këtij investimi, një kompani vendase u kontraktua nga JICA dhe Ministria e Mjedisit për të mirëmbajtur dhe servisuar 12 SMCA, nga të cilat 5 mbështetur nga JICA dhe 7 nga Ministria e Mjedisit.

2017

IHMK ka kontraktuar një operator për mirëmbajtjen dhe servisimin e rrjetit të SMCA prej 12 stacioneve.

2016

Duke përdorur fondet e veta, IHMK-ja i servisoi stacionet e monitorimit në Drenas, Mitrovicë, Dardhishtë, Hani i Elezit dhe stacionin mobil, ndërsa gjithashtu u krye një diagnozë e çështjeve operacionale në stacionet e monitorimit në Obiliq dhe Prishtinë. Në këtë vit, rrjeti i monitorimit të cilësisë së ajrit u azhurnua dhe u ridizajnua.

2014

IHMK ka servisuar stacionet e monitorimit në Drenas, Prishtinë – Rilindja, Mitrovicë dhe Pejë, si dhe ka bërë diagnostikimin e problemeve operacionale në stacionet e monitorimit në Obiliq dhe Prishtinë, me fonde nga buxheti i tij.

2012

Banka Botërore, në Bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), ka blerë 3 SMCA që gjenden në zonën e Obiliqit. Po në të njëjtin vit, IHMK ka marrë në menaxhim të plotë këto tri stacione nga menaxhimi i përkohshëm ndërkombëtar.

Me mbështetjen e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë është bërë operimi dhe mirëmbajtja e plotë e 5 SMCA-ve në Gjilan, Han të Elezit, Brezovicë, Prizren dhe Pejë.

2011

Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Prishtinë i ka ofruar mbështetje teknike IHMK në ngritjen e kapaciteteve teknike për stafin e IHMK në lidhje me monitorimin e cilësisë së ajrit. IHMK vazhdoi me zhvillimin e brendshëm në fushat në vijim:

  • Pesë SMCA të vendosura në Gjilan, Hani i Elezit, Shtërpcë – Brezovicë, Prizren dhe Pejë janë pajisur me analizerë për monitorimin e SO2, NOx (NO2), CO, O3 dhe PM10 dhe PM2.5, si dhe senzorë për monitorimin e parametrave meteorologjikë.
  • Krijimi i laboratorit për analiza kimike të ajrit, i pajisur me instrumente laboratorike për përcaktimin e metaleve të rënda, anioneve dhe komponimeve organike në ajër.
  • Ngritja e kapaciteteve laboratorike për analizerët e ajrit.
  • Blerja e veturës për punët në terren.

Po në të njëjtin vit, me investime nga buxheti i Qeverisë, janë instaluar 3 stacione monitorimi shtesë për monitorimin e SO2, NOx (NO2), CO, O3 dhe PM10 dhe PM2.5 në Prishtinë – Rilindje, Drenas dhe Mitrovicë.

2010

Ka filluar dizajnimi i Rrjetit Shtetëror për Monitorimin e Cilësisë së Ajrit. Gjatë këtij viti, Departamenti për Mbrojtje Mjedisore në kuadër të MMPH dhe IHMK, të mbështetur me asistencë nga Zyra e Komisionit Evropian në Prishtinë, realizuan një studim preliminar për përcaktimin e pikave të monitorimit.

Numri i stacioneve për monitorimin e cilësisë së ajrit në Kosovë është caktuar në bazë të informacioneve të mbledhura nga studimi dhe duke respektuar kriteret e përcaktuara nga Direktiva 2008/50/EC, nga ku është vendosë që rrjeti shtetëror i monitorimit të cilësisë së ajrit në Kosovë të ketë 9 stacione fikse të monitorimit.

Nga fundi i vitit 2010 me investim nga buxheti i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, është funksionalizuar stacioni mobil për monitorimin e cilësisë së ajrit. Po ashtu është funksionalizuar SMCA i vendosur në Prishtinë-Rilindja, donacion nga qeveria Sllovene. Ky stacion ishte i pajisur për monitorimin e PM10 dhe PM2.5.

2009

Stacioni i parë për monitorimin e cilësisë së ajrit që gjendet në Prishtinë – IHMK ka filluar operimin pas investimit nga buxheti i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.