Standardet e cilësisë së ajrit në Kosovë bazohen në direktivat e BE-së për cilësinë e ajrit, (2008/50/EC Direktiva për Cilësinë e Ajrit të Ambientit dhe Ajër më të Pastër për Evropë dhe 2004/107/EC Direktiva për Metale të Rënda dhe Hidrokarbure Aromatike Policiklike në ajër të ambientit) dhe përcakton pragjet e përqendrimeve të ndotësve që nuk duhet të tejkalohen për një periudhë të caktuar kohore. Indeksi i Cilësisë së Ajrit (ICA) pasqyron ndikimin e mundshëm të cilësisë së dobët të ajrit në shëndet. Iu mundëson përdoruesve që të kuptojnë më shumë cilësinë e ajrit ku jetojnë, punojnë apo udhëtojnë. ICA është standard i Bashkimit Evropian për matjen, klasifikimin dhe krahasimin e cilësisë së ajrit duke përdorur grupin standard të parametrave. Nga paraqitja e të dhënave të përditësuara për Kosovën, përdoruesit mund të marrin njohuri për cilësinë e ajrit në rajone dhe qytete. ICA bazohet në përqendrimin e pesë ndotësve kryesorë:

  • lëndë grimcash (PM10);
  • lëndë grimcash të imëta (PM2.5);
  • ozon (O3);
  • dioksidi i azotit (NO2);
  • dioksidi i sulfurit (SO2).

ICA pasqyron indeksin e mundshëm të cilësisë ajrit në shëndet, ku niveli i ICA nxitet nga ndotësi i cili ka përqendrimet më të larta. Fillimisht indeksi i cilësisë së ajrit paraqet situatën e orës së plotë të fundit gjatë së cilës janë mbledhur të dhënat e monitorimit. Përdoruesit mund të qasen edhe në të dhënat historike dhe të parashikimit.

Legjislacioni mjedisor i Kosovës është harmonizuar me standardet e cilësisë së ajrit për nivelet afatshkurta (me orë apo ditë) dhe afatgjata (me vjet) të cilësisë së ajrit. Standardet për nivelet afatgjata janë më strikte se për nivelet afatshkurta, pasi që mund të ketë efekte serioze shëndetësore nga ekspozimi afatgjatë ndaj ndotësve.

ICA tregon situatën afatshkurtër të cilësisë së ajrit. Nuk pasqyron situatën afatgjate (vjetore) të cilësisë së ajrit, që mund të dallojë në mënyrë të konsiderueshme. Duhet të theksohet që ICA nuk është mjet për kontrollimin e përmbushjes së standardeve të cilësisë së ajrit dhe nuk mund të përdoret për këtë qëllim.

Metodologjia

ICA përdor të dhëna aktuale të cilësisë së ajrit nga rrjeti i stacionit të monitorimit në Kosovë dhe nga modelet e parashikimit.

Vlerat e përqendrimit për 5 ndotës (PM10, PM2.5, SO2, NO2 dhe O3) përcaktojnë nivelin e ICA në secilin stacion të monitorimit. ICA korrespondon me nivelin më të lartë për secilin nga 5 ndotësit, sipas tabelës së paraqitur më poshtë. Vetëm 4 (nga 5) ndotësit përdoren për parashikimin e ICA: ozoni, dikosidi i azotit dhe lëndët e grimcave (PM10 dhe PM2.5).

Koha mesatare e ndotësve

Për NO2, O3 dhe SO2, përqendrimet sipas orës përdoren për llogaritjen e ICA.

Për PM10 dhe PM2.5, përdoren mesataret përgjatë 24 orëve për të llogaritur ICA.

Vlerat e përqendrimeve dhe nivelet e indeksit

Vlerat bazohen në rreziqet relative të ndërlidhura me ekspozimin afatshkurtër ndaj PM2.5, O3 dhe NO2, siç përcaktohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në raportin e projektit për Rreziqet Shëndetësore të Ndotjes së Ajrit në Evropë (raporti i projektit HRAPIE, 2013).

Rreziku relativ i ekspozimit ndaj PM2.5 merret si bazë për indeksin, konkretisht rritja në rrezikun e vdekshmërisë për rritje 10 µg/m3 në përqendrimin mesatar ditor të PM2.5.

Duke supozuar linearitetin përgjatë funksioneve të rreziqeve relative për O3 dhe NO2, ne llogaritim përqendrimet e këtyre ndotësve që paraqesin një rrezik ekuivalent relativ prej 10 µg/m3 rritje në mesataren ditore në PM2.5.

Për përqendrimet e PM10, supozohet një raport i vazhdueshëm në mes të PM10 dhe PM2.5 prej 1:2, në përputhje me udhëzimet e cilësisë së ajrit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën.

Për SO2, vlerat pasqyrojnë vlerat kufitare të përcaktuara në Direktivën e BE-së për Cilësinë e Ajrit.

tabela e vlerave të cilësisë së ajrit

Matjet e cilësisë së ajrit që tejkalojnë vlerat maksimale në kategorinë “jashtëzakonisht dobët” nuk merren parasysh për llogaritjen e indeksit, pasi që këto vlera zakonisht dalin të jenë të gabuara.